Duke filluar nga dhjetori i këtij viti, udhëtarët në Aeroportin Haneda të Tokios do të përjetojnë një lamtumirë vërtet të pazakontë. Një Godzilla kolosale, me përmasa 40 metra gjerësi dhe nëntë metra lartësi, do të dominojë hollin e nisjeve për një vit të plotë, deri në dhjetor 2026.
Statuja paraqet ikonën kinematografike që duket sikur shpërthen përmes mureve të aeroportit, një pamje e paharrueshme që pritet të kthehet në një atraksion të vërtetë në aeroportin më të ngarkuar të Japonisë.
Instalacioni gjigant i Godzillës do të vendoset mbi katin e tretë të hollit të nisjeve, por edhe ata që mbërrijnë në Haneda mund të përfitojnë nga kjo përvojë argëtuese.
Pasagjerët që zbresin në aeroport do të shohin me një statujë më të vogël, por po aq të frikshme, nga filmi Godzilla Minus One i vitit 2023. Ata do të gjejnë gjithashtu imazhe të zvarranikut shkatërrues të qyteteve dhe krijesave të tjera të franshizës të ekspozuara mbi sportelin e informacionit në hollin e mbërritjeve në katin e dytë të terminalit.
Godzilla është shfaqur në më shumë se 30 filma brenda dhe jashtë Japonisë që prej premierës së parë në vitin 1954, sipas faqes zyrtare. Kjo mund të jetë hera e parë që “vjen në jetë” brenda një aeroporti.
Ky projekt, një bashkëpunim midis kompanisë Toho Co., studioja pas filmave të Godzillës, dhe operatorëve të Aeroportit Haneda, synon t’u lërë udhëtarëve një përshtypje të paharrueshme, duke shfaqur një shembull ikonik të dizajnit dhe argëtimit japonez.
Numri i vizitorëve ndërkombëtarë në vend është në nivele rekord, me mbi 31 milionë mbërritje vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2025.
Ndërsa turizmi në Japoni vazhdon të thyejë rekorde, shumica e udhëtarëve ende vizitojnë pikat më të njohura në qytete si Kyoto, Tokio dhe Osaka.
Godzilla e Hanedës mund të jetë një atraksion kryesor, por gjithashtu ofron një dritare drejt Japonisë përtej tempujve, portave torii dhe qyteteve tradicionale.
Vendi ka plot përvoja më të qeta e më pak të vizituara për ata që kërkojnë të dalin nga rrugët e zakonshme turistike.
Gifu, për shembull, është e njohur për fshatrat e mbuluar me dëborë, punishtet shekullore të prodhimit të shpatave dhe onsen-et pothuajse bosh.

Një udhëtim i shkurtër me tren nga Kyoto dhe Tokio, rajoni Hokuriku në bregun perëndimor të Japonisë ofron natyrë mahnitëse, ushqim deti të freskët dhe lagje të ruajtura të samuraive dhe geishave, me vetëm një pjesë të vogël të turmave të qyteteve të mëdha.
Ndërkohë, trendi në rritje i turizmit kinematografik ofron një mënyrë tjetër për ta parë Japoninë ndryshe. Ashtu si në vende si Britania e Madhe, ku vizitorët ndjekin vendndodhjet e xhirimeve të Succession apo Spider-Man, udhëtarët në Japoni mund të “hyjnë në skenë” në vende të vërteta nga filmat modernë, anime dhe jeta e përditshme, nga rrugët e ndriçuara me neone të Tokios deri te peizazhet rurale. / shqip.al