I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë sociologu Edmond Dragoti. Ai ka folur më shumë mbi seksualizmin në shoqëri, por jo vetëm…
Është një shprehje tipike e meshkujve shqiptarë që thonë ‘nuk hahet çdo ditë e njëjta gjellë’. Si e shpjegon këtë?
Nëse do e thjeshtojmë kaq shumë, sa ‘të hash të njëjtën gjellë’, atëherë do të thoja që ta ‘hanë’ në mënyra të ndryshme. Në vende të ndryshme, në situata të ndryshme, në shtëpi, në hotel, në makinë… Por nga ana tjetër, në rastin e marrëdhënieve kur janë të shëndetshme, nuk ka lodhje dhe nuk ka dobësim të marrëdhënies. Ajo vazhdon që të ushqehet çdo ditë. Intimiteti, emocionaliteti, respekti, vlerësimi, të gjitha këto e shtojnë dhe e rrisin aftësinë tërheqëse në marrëdhëniet midis partnerëve. Nëse nuk ke respekt për tjetrin, e ke të vështirë që të kesh nevojë për të, është normale. Prandaj duhen zhvilluar këto elementë, këto ndjenja dhe veçori të personalitetit të gjithësecilit prej nesh. Prandaj seksualiteti është një gamë e gjerë vlerash që ka individi. Dhe nëse i zhvillojmë të gjitha këto, me siguri që do të jetë i suksesshëm.