Ardhja e vjeshtës ka sjellë një valë moti të ashpër, duke prekur veçanërisht Italinë veriperëndimore. Një alarm portokalli u lëshua dje për pjesë të Lombardisë e Ligurias.
Shirat e rrëmbyeshëm filluan gjatë natës, veçanërisht në Milano ku deri në mëngjes, 30 milimetra shi ranë në pjesën veriore të kryeqendrës lombarde e mbi 80 milimetra, në Paderno Dugnano dhe Seveso. Rrugët u përmbytën e nënkalimet u mbyllën në zonën e Komos. Shkollat u mbyllën në pjesën më të madhe të Ligurias, përveçse në Imperia. Lugina e Bormidës u prek në mënyrë të veçantë, me rrëshqitje dheu e përmbytje.
Këshilltari i Mbrojtjes Civile të Milanos, Marco Granelli, u kërkoi banorëve të tregojnë “kujdes maksimal”. Kontrollet e nënkalimeve janë aktive dhe barriera të lëvizshme u vendosën në lagjen Ponte Lambro në orën 06:00 të mëngjesit, si masë paraprake. Monitorimi i nivelit të kanalizimeve u aktivizua po ashtu.
Komo nën ujë, rrugët e përmbytura dhe nënkalimet e mbyllura
Komo është nën ujë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, me maksimume deri në 30 milimetra ujë në një orë. Rrugë dhe sheshe të shumta në qendrën historike janë të përmbytura. Tuneli që lejon transportin nën stacionin e trenit San Giovanni, stacionin qendror të Komos, u mbyll për shkak të baltës e mbeturinave. Zjarrfikësit po përgjigjen gjerësisht.
Trenitalia njoftoi se ka pezulluar shërbimet e trenave në San Giuseppe di Cairo në linjat Savona-Torino dhe Savona-Alessandria. Linja Breil-Ventimiglia nuk po funksionon. Në linjën Ventimiglia-Gjenoa, trafiku është ngadalësuar ndjeshëm midis Pietra Ligure e Finale Ligure. Ka gjithashtu vonesa në linjën Genoa-Torino midis Arquata Scrivia-s dhe Novi Ligure.