Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të ndalë luftën në Ukrainë, përveçse kur Perëndimi të pranojë të ulet në tryezën e negociatave sipas kushteve të tij për paqe, pa u ndikuar nga kërcënimet e Donald Trump për sanksione më të ashpra, raportoi agjencia Reuters, duke cituar tre burime pranë Kremlinit.
Sipas të njëjtave burime, teksa forcat ruse avancojnë në terren, edhe kërkesat territoriale të Putinit mund të zgjerojnë më tej.
Putin, i cili dha urdhrin për pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, pas tetë vitesh përleshjesh në lindje të vendit mes separatistëve prorusë dhe forcave ukrainase, beson se si ekonomia ashtu edhe ushtria ruse janë mjaft të fuqishme për të përballuar çdo masë të re nga Perëndimi.
Presidenti amerikan Donald Trump, të hënën, u shpreh i zhgënjyer për refuzimin e Putinit për një armëpushim dhe njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, që përfshin edhe sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot. Ai gjithashtu paralajmëroi sanksione të reja ndaj Moskës nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje brenda 50 ditëve.
Sipas burimeve ruse të cituara nga Reuters, Putin nuk do të ndalet për shkak të presionit perëndimor dhe beson se Rusia, që tashmë ka mbijetuar nën disa nga sanksionet më të rënda të vendosura ndonjëherë, mund të përballojë edhe më shumë, përfshirë tarifat amerikane që kërcënojnë vendet që blejnë naftë ruse.
“Putini beson se askush nuk ka hyrë realisht në bisedime serioze me të për paqen në Ukrainë, as amerikanët. Prandaj ai do të vazhdojë derisa të marrë atë që kërkon”, citohet të ketë thënë një nga burimet.
Megjithëse kanë pasur disa biseda telefonike mes Trump dhe Putinit, si dhe vizita të të dërguarit të posaçëm amerikan Steve Whitkov në Moskë, lideri rus nuk e konsideron se janë bërë diskutime të thelluara mbi një plan paqeje.
“Putini e vlerëson marrëdhënien me Trump dhe pati biseda të mira me Whitkov, por interesat e Rusisë janë mbi gjithçka”, shtoi burimi.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi raportin, sipas Reuters.
Sipas burimeve, kushtet që kërkon Putin për të pranuar paqen përfshijnë: garanci ligjore që NATO nuk do të zgjerohet më tej në lindje, neutralitet të Ukrainës dhe kufizime për forcat e saj të armatosura, mbrojtje për popullsinë rusishtfolëse në territorin ukrainas dhe njohje të fitimeve territoriale që ka bërë Rusia.
Putin, sipas raportit, është gjithashtu i gatshëm të diskutojë për garanci sigurie për Ukrainën me pjesëmarrjen e fuqive të mëdha botërore – megjithëse mbetet shumë e paqartë se si një marrëveshje e tillë mund të funksionojë.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina nuk do të njohë kurrë sovranitetin rus mbi territoret e pushtuara dhe se Kievi ka të drejtën sovrane të vendosë për anëtarësimin e saj në NATO. Zyra e tij nuk ka reaguar ndaj raportit.