Melania Trump ka deklaruar se çifti Obama, i fshehën atyre informacione kur ajo dhe Donald Trump u shpërngulën për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë, duke e bërë tranzicionin për ta ‘sfidues’. Ajo po përgatitet të kthehet në rezidencën presidenciale më 20 janar, pasi bashkëshorti i saj, presidenti i sapozgjedhur Donald Trump betohet në detyrë. Por, tanimë Zonja e Parë, pret që kësaj here zhvendosja të jetë më e lehtë në Shtëpinë e Bardhë, për shkak se tani ajo nuk ka nevojë të mbështetet tek paraardhësit e saj në detyrë për informacion në lidhje me shtëpinë dhe procesin e tranzicionit të cilin ajo pretendon se çifti Obama e ka mbajtur për vete.
“Hera e parë ishte sfiduese; nuk kishim aq shumë informacion”-tha ajo për Fox & Friends. “Informacioni u fsheh nga administrata e kaluar. Por kësaj here, i kam të gjitha, do të jetë tranzicion më ndryshe”. Thumbat e Melania-s kundrejt çiftit Obama vijnë pasi Michelle Obama nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit. Ndërkaq, Melania Trump, ka tërhequr vëmendjen për elegancën dhe pamjen e saj, e cila mbetet në formë perfekte edhe në moshën 54-vjeçare. Ajo është e njohur për disiplinën e saj në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë edhe regjimin ushqimor.
Në librin e saj të kujtimeve, Melania ka zbuluar disa nga preferencat dhe parimet që udhëzojnë ushqimin e saj, duke theksuar rëndësinë e një diete të balancuar dhe të shëndetshme. Një prej detajeve interesante që Melania ka ndarë është se ajo kurrë nuk konsumon peshk të papërpunuar, një preferencë që i ka mbetur e pandryshuar për vite me radhë. Gjatë një vizite zyrtare në Japoni, Melania kërkoi që sushi të mos shërbehej gjatë darkës së saj. Megjithatë, ajo është e hapur për të provuar kuzhinën vendase kur është e mundur dhe vlerëson shijet dhe teksturat e ndryshme të ushqimeve tradicionale.