Ndryshe nga klubet tradicionale të natës, këto evente nuk fokusohen te teprimi apo orët e vona, por te balanca dhe mirëqenia. Në një wellness party mund të gjesh DJ set-e energjike të kombinuara me aktivitete si yoga, ushtrime në grup, meditimi, apo edhe seanca relaksimi. Pijet alkoolike shpesh zëvendësohen me mocktail-e, smoothie dhe pije natyrale, duke krijuar një atmosferë më të shëndetshme dhe më të ndërgjegjshme.
Ky trend po lidhet fort me Gen Z, e cila po kërkon mënyra të reja për t’u argëtuar pa e lodhur trupin dhe pa pasojat e stilit tradicional të jetës së natës. Arsyet kryesore të popullaritetit janë më pak alkool dhe më shumë kontroll mbi shëndetin, fokus te mirëqenia fizike dhe mendore, socializim më i pastër dhe më autentik. evente që shpesh zhvillohen gjatë ditës, jo vetëm natën.
Wellness party nuk janë thjesht festa, por shpesh përshkruhen si “rituale moderne socializimi”. Ato ndërthurin elemente të fitnesit, muzikës dhe relaksit, duke krijuar një ambient ku njerëzit lidhen me njëri-tjetrin në mënyrë më të natyrshme. Në vend të një nate me konsum të tepruar, pjesëmarrësit përjetojnë një formë të re argëtimi ku trupi dhe mendja janë në qendër.
Rritja e interesit për shëndetin mendor, aktivitetin fizik dhe stilin e jetesës së balancuar po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si njerëzit argëtohen. Nëse dikur të rinjtë preferonin jetën e natës me orë të tëra pa gjumë, sot Gjenerata Z po ndjek një trend tjetër. Një studim në SHBA tregon se të rinjtë po flenë gjithnjë e më herët, me shumë prej tyre që shkojnë në shtrat rreth orës 21:00. Ky ndryshim bie ndesh me stereotipin klasik të të rinjve që kalojnë net pa gjumë dhe jetojnë jetën e natës. Trendi ‘Night Routine’ po e përforcon këtë kulturë me rituale të gjata relaksi para gjumit.