Tech

OpenAI po konsideron ndërtimin e një roboti humanoid?!

OpenAI ka eksploruar së fundmi ndërtimin e robotit të vet humanoid, sipas The Information. Raporti citon “dy persona me njohuri të drejtpërdrejta” të atyre bisedave. Prodhuesi i ChatGPT është përfshirë në këtë fushë prej disa kohësh. Por në vitin 2021, OpenAI braktisi ambicie të tilla pasi mbylli në heshtje divizionin e saj të robotikës.

Megjithatë, sigurisht, ka ndodhur shumë në tre vitet e fundit, me përparime si në harduer ashtu edhe në sistemet e AI që i fuqizojnë ato. OpenAI ka njoftuar se po teston modele të reja me Al, o3 dhe o3 mini, në shenjë të konkurrencës në rritje me rivalët si Google për të krijuar modele më të zgjuara për të trajtuar probleme komplekse.

CEO Sam Altman tha se startupi me AI planifikon të prezantojë o3 mini deri në fund të janarit dhe o3 të plotë më vonë. Mbështetur nga Microsoft, OpenAI prezantoi modele o1 në shtator, të dizajnuara për të shpenzuar më shumë kohë për përpunimin e pyetjeve dhe zgjidhjes së problemeve më të vështira.

Bëhet e ditur se modelet o1 janë të afta të arsyetojnë përmes detyrave komplekse dhe mund të zgjidhin probleme më sfiduese sesa modelet e mëparshme në shkencë, kodim dhe matematikë. Ndërsa modelet e reja o3 dhe o3 mini të OpenAI, të cilat aktualisht janë në testim të brendshëm të sigurisë, do të jenë më të fuqishëm se modelet o1. OpenAI kishte nisur një garë me Al pasi prezantoi ChatGPT në nëntor 2022.
Së fundmi OpenAI prezantoi mjetin e tij të kërkimit ChatGPT ekskluzivisht për abonentët me pagesë.

Tani, kompania e Inteligjencës Artificiale po e bën atë të disponueshme për të gjithë ndërsa fillon një shpërndarje më të gjerë. OpenAI konfirmoi se të gjithë përdoruesit e ChatGPT së shpejti do të kenë qasje në funksionin e kërkimit. Nëse pyetja juaj kërkon informacionin më të fundit, ChatGPT do të kërkojë automatikisht në ueb për t’ju dhënë një përgjigje të përditësuar.