Aktualitet Rajoni

Opozita në Kosovë vlerëson procesin e votimit/Zgjedhjet në përfaqësitë diplomatike!

Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë tha sot se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë problematikë të raportuar. Në një konferencë për media, ku iu referua pjesëmarrjes në shifrën 8.58% deri në orën 11:00 sipas KQZ-së, Stavileci e quajti “të mirë”, si edhe ftoi qytetarët që të votojnë.

Demokracia fiton kur qytetarët marrin pjesë.

Ndërkaq, teksa votimi në Kosovë po vazhdon edhe sot, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, dje kishin mundësinë që për herë të parë, të votonin në përfaqësitë diplomatike.

Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar, 15 mijë e 552 ose 73.56% e tyre votuan në konsullata dhe në ambasada të Kosovës.

Votimi i 8 shkurtit u zhvillua 43 vendvotime, në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës. Po ashtu, përveç votimit në përfaqësitë diplomatike, votuesit jashtë vendit kanë mundur që të votojnë përmes postës.

Fletëvotimet nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë, sipas KQZ-së do të transportohen në Kosovë nga e hëna, ku më pas do të numërohen.

Të gjitha qendrat e votimit u hapën në kohë sipas KQZ-së, por Demokracia në Veprim raportoi vonesa në çeljen e 9% të vendvotimeve në Kosovë. Kandidatët për kryeministër, Kurti, Haradinaj, Hamza e Abdixhiku apel qytetarëve, të ushtrojnë të drejtën e votës.

Votoi edhe Vjosa Osmani. Presidentja iu uroi suksese kandidatëve për kryeministër dhe vlerësoi ecurinë e procesit të votimit, si të rregullt. Ndërsa në Kosovë po mbahen parlamentaret, 5 persona u ndaluan për veprën penale “Cënim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

28 subjekte politike me mbi 1 mijë e 200 kandidatë po konkurrojnë për mbështetjen e votuesve, për një vend në parlamentin me 120 deputetë. Votimet në Kosovë pritet të përcaktojnë se kush do ta drejtojë vendin në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. 104 vëzhgues të BE-së janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur votimet në Kosovë.