Kryeministri hungarez, Viktor Orban do të ftojë homologun izraelit, Benjamin Netanyahu për vizitë zyrtare në Hungari. Orban garantoi se fletë-arresti i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ndaj tij, “nuk do të zbatohet” dhe e sfidoi këtë institucion. Benjamin Netanyahu akuzohet për krime lufte dhe kundër njerëzimit në konfliktin me Hamasin në Rripin e Gazës. Me të akuzohen edhe të tjerë zyrtarë izraelitë e të organizatës radikale palestineze, një pjesë e të cilëve janë vrarë nga Izraeli gjatë ofensivës.
Sot do ta ftoj kryeministrin e Izraelit, Netanyahun, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë do ta siguroj se nëse vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari. Ne nuk do ta zbatojmë përmbajtjen e tij.
Orban ka krijuar marrëdhënie të ngushta politike me Netanyahu-n që nga koha kur ai dhe partia nacionaliste, Fidesz, morën pushtetin në Hungari, më 2010-ën. Netanyahu e vizitoi kryeqytetin hungarez, Budapest në vitin 2017.
Liderët e Izraelit, si dhe Shtëpia e Bardhë e kanë dënuar fuqishëm vendimin e GJNP-së por shefi i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme e sigurinë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, u shpreh se fletë-arrestet nuk janë politike e të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian duhet ta respektojnë e zbatojnë vendimin e gjykatës.
Në Union, Hungaria dhe Republika e Çekisë janë përkrahëse të fuqishëm të shtetit hebre ndërsa vende si Spanja dhe Irlanda theksojnë mbështetjen e tyre për palestinezët. Ministria e Jashtme e Çekisë, duke iu përgjigjur vendimit të GJNP-së, Gjykatës Penale Ndërkombëtare, u shpreh se “Praga zyrtare do t’i respektojë detyrimet e veta nga ligji ndërkombëtar”.
Por shefi i qeverisë i Çekisë, Petr Fiala, e quajti të “pavend” vendimin e GJNP-së, duke deklaruar në platformën X, në mbrëmje vonë se “vendimi minon autoritetin e gjykatës në rastet e tjera, kur i barazon përfaqësuesit e zgjedhur të një shteti demokratik me liderët e një organizate islamiste terroriste”.