Art & Kulturë Film & Tv

Oscar 2022, “Coda” shpallet Filmi më i Mirë/Jane Campion, Regjisorja më e Mirë!

“Coda” shpallet filmi më i mirë i edicionit të 94-rt të çmimeve Oscar 2022, në një ceremoni që për publikun shqiptar erdhi live në Top Channel. Komedia dramatike “Coda” me regji të Sian Heder është një remake i filmit francez të vitit 2014, “La Famille Bélier” dhe ku gjithçka vjen përmes gjuhës së shenjave në një familje peshkatarësh që nuk flasin, me përjashtim të vajzës. Dhe shenjat e zemrës arritën të godasin në shenjë.

“Coda” triumfoi edhe me Troy Kotsur, aktori më i mirë mbështetës dhe për skenarin më të mirë të përshtatur. Producentët shprehën falenderime që iu dha mundësia të hyjnë në histori e gjithashtu uruan kandidatët e tjerë. Një mesazh i veçantë për aktorët, që sipas tyre, “krijuan një famijje të mbushur me dashuri, brenda dhe jashtë”.

Kësaj here, nata e shumëpritur e Oscar-ve u nda mes një dëshire “të rilindur” për kinematografinë, pas pandemisë koronavirus dhe frikës së lidhur me luftën në Ukrainë.

Ndërkohë, statuja e famshme për regjinë më të mirë i shkoi regjisores nga Zelanda e Re, Jane Campion për realizimin “The Power of the Dog” e që në këtë rast mund të thuhet fuqia e Jane-it, gruaja e tretë në historinë e Oscar-ve, e vlerësuar për regjinë më të mirë, pas Kathryn Bigelow-t në vitin 2010 e Chloé Zhao, vitin e kaluar. Filmi me të cilin u paraqit me dinjitet, bazohet në romanin e novelistit amerikan, Thomas Savage.

Faleminderit një burri që nuk e njoha kurrë, Thomas Savage, i cili shkroi për mizorinë e të kundërtën e saj, mirësinë.

Një mbrëmje e paharrueshme për “Dune”, filmi që siguroi plot 6 Oscar: për montazhin, efektet speciale, fotografinë, skenografinë, kolonën zanore e zërin.

Nuk mungoi mbështetja për Ukrainën, ku agresioni rus që vijon prej 24 shkurtit e ka kthyer vëmendjen e botës në luftën atje, pasojat e së cilës po ndihen edhe në vendin tonë, duke u reflektuar në rritjen e çmimeve.

Për herë të parë pas dy vjetësh, Teatri Dolby në Los Anxhelos shtroi tapetin e kuq, me organizatorët që shpresuan dhe në fakt ia dolën të kthenin normalitetin tek ngjarja më e madhe e përvitshme që nderon arritjet më të mira të kinematografisë. Çmimet synuan të rimerrnin vendin e nderit, pas dy vitesh pandemi dhe një ceremonie pothuajse tërësisht virtuale në vitin 2021 me audiencën më të ulët të çdo kohe.

Tre aktoreve të njohura, ikona të komedisë amerikane iu besua prezantimi dhe ato ishin Wanda Sykes, Amy Schumer e Regina Hall ndërsa Schumer nuk e kurseu ironinë kur u shpreh:

Të punësosh tre gra, kushton më pak se të marrësh vetëm një burrë!