Bota

Para largimit, presidenti Biden mbron politikën e jashtme amerikane/Konfliktet vazhdojnë!

Presidenti amerikan në largim, Joe Biden u përpoq të përmirësonte pasqyrën e arritjeve lidhur me politikën e jashtme dhe tha se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara janë tani më të dobët se kur ai mori detyrën katër vjet më parë, pavarësisht krizave globale që mbeten të pazgjidhura.

Biden iu drejtua diplomatëve në Departamentin e Shtetit dhe vlerësoi lart mbështetjen e administratës së tij për Ukrainën dhe luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara po fitojnë konkurrencën botërore dhe nuk do të tejkalohen ekonomikisht nga Kina siç ishte parashikuar, ndërsa Rusia dhe Irani janë dobësuar nga luftërat, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara. Krahasuar me katër vjet më parë, Amerika është më e fortë, aleancat tona janë më të forta, kundërshtarët dhe konkurrentët tanë janë më të dobët. Ne nuk kemi shkuar në luftë për t’i bërë të gjitha këto të mundura.

Ndërsa luftërat vazhdojnë në Ukrainë e Lindjen e Mesme, zyrtarët shpresojnë se një marrëveshje mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas mund të arrihet para se Joe Biden të largohet nga Shtëpia e Bardhë, më 20 janar.

Biden u shpreh se negociatorët janë pranë arritjes së një marrëveshjeje që do të bënte të mundur lirimin e personave që mbahen peng nga Hamasi në Rripin e Gazës dhe do t’u jepte fund luftimeve atje, për të lejuar një rritje të ndihmave humanitare.

Kaq shumë njerëz të pafajshëm janë vrarë, kaq shumë komunitete janë shkatërruar. Palestinezët meritojnë paqen, të drejtën për të vendosur të ardhmen e tyre. Izraeli meriton paqen dhe sigurinë e vërtetë. Pengjet dhe familjet e tyre meritojnë të ribashkohen. Ne po punojmë me urgjencë për ta mbyllur këtë marrëveshje.

Biden është përballur me kritika për ofrimin e mbështetjes diplomatike dhe me armatime për Izraelin, që kur shpërtheu konflikti i fundit izraelito-palestinez më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë rreth 250 pengje, sipas të dhënave izraelite. Sulmi ushtarak i Izraelit në Gazë ka vrarë mbi 46,000 palestinezë, referuar Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Jashtë Departamentit të Shtetit, disa protestues lëshuan thirrjet “kriminel lufte” për Biden-in. Presidenti i Shteteve të Bashkuara përshëndeti mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin gjatë dy sulmeve iraniane, në vitin 2024.

Në tërësi, Irani është më i dobët nga sa ka qenë në dekada, si dhe vuri në dukje rënien e qeverisë siriane të al-Assad/it.