Rajoni

Paraburgim për tre policët e Kosovës/Serbia dyshon për “Posedim të paligjshëm armësh”!

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë të Serbisë së jugut dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Sipas autoriteteve, ata dyshohen për veprat penale prodhim, posedim, mbajtje e trafikim të paligjshëm të armëve e lëndëve plasëse. Nëse shpallen fajtorë, rrezikojnë dënimin me deri 12 vjet burg.

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., sot iu dha masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por për momentin nuk dihet kohëzgjatja.  Prishtina zyrtare pretendon se policët janë “rrëmbyer” se sipas saj, “u arrestuan në territorin e Kosovës”. Por, Beogradi pretendon se u ndaluan në territor serb.

Më herët, kryeministri Albin Kurti tha se mesa duket, prokurori në Serbi ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm ndaj tre policëve të arrestuar të Kosovës, ndërsa mbajti në fuqi vetëm ato për posedim të paligjshëm të armëve. Kurti i bëri komentet gjatë një fjalimi në Forumin e Prespës në Strugë.

Albin Kurti falënderoi Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës e shtoi se kjo është rruga përpara.  Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë, – deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se NATO duhet ta dënojë shkeljen që sipas tij, “i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës”. Me këtë akord iu dha fund luftës në Kosovë në vitin 1999.

Qeveria e Kosovës beson se autoritetet serbe “i rrëmbyen” tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Milun Milenkoviç më 13 qershor. Milenkoviç dyshohet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.

Kjo zonë me shumicë serbe është tensionuar që në fund të majit kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave atje të hynin në objektet komunale megjithë rezistencën e banorëve lokalë. Objektet në fjalë shfrytëzohen dhe nga strukturat paralele serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Pati dhjetëra të plagosur. Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë të shtensionojë situatën, të tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar kërkohet të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb.