Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se sot vendi ynë ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.
Moti vijon me alternime vranësirash mesatare deri të dendura e intervale afatshkurtra me kthjellime. Reshjet e shiut kanë intensitet të ulët e të karakterit lokal prej orëve të para e deri në të pasdites, në jug dhe në qendër të territorit.
Në intervale afatshkurtra, reshjet marrin formën e shtrëngatave, ndërsa në relievet malore në lindje e në juglindje, bie dëborë në lartësitë mbi 1000-1100 metra.
Era fryn me drejtim kryesor verilindje-lindje e me shpejtësi 6 m/s, ndërsa në lugina dhe në bregdet, hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri 14 m/s, me valëzimin në det 1-3 ballë.
Temperaturat variojnë 1-18 gradë Celsius.