Rezultati i zgjedhjeve lokale në Bosnje e Hercegovinë (BeH), sipas të dhënave të publikuara nga partitë politike, shfaqi mbizotërimin e forcës politike të liderit prorus Milorad Dodik në Republika Sërpska, si dhe të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në zonat ku jetojnë kroatë e po ashtu rritjen e Partisë së Veprimit Demokratik të Boshnjakëve (SDA), e cila aktualisht është në opozitë në Federatën e BeH.
Dodik deklaroi se partia që ai drejton, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, ka fituar në 47 nga 63 komunat e Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjës.
Lideri i partisë më të madhe kroate në BeH, Dragan Çoviç, tha se Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i BeH ka siguruar shumicën e komunave për postet e kryetarëve të tyre.
Partia e Veprimit Demokratik (SDA) informoi se në këto zgjedhje lokale mori më shumë vota se në të mëparshmet. Rezultatet, kjo parti boshnjake i shpalli pas mbylljes së qendrave të votimit. Subjekti i drejtuar nga Bakir Izetbegoviç, referuar të dhënave të paraqitura, fitoi postet e kryetarëve të komunave në verilindje të BeH, ku deri tani dominonte Partia Socialdemokrate.
Nuk pati surpriza as në Srebrenicë, qytet ku në vitin 1995 u krye gjenocid. Kandidati i përbashkët i partive serbe fitoi shumicën e votave. Një nga befasitë ishte edhe shpallja e fitores së Ibro Berilos në komunën Tërnovës së Sarajevës. Ky kandidat i Partisë së Veprimit Demokratik ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Në zgjedhjet lokale në Bosnjë e Hercegovinë votuan 47.72% e qytetarëve, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH. Deri tani janë përpunuar rreth 93.47% e qendrave të votimit. Afro 3.4 milion qytetarë kishin të drejtë vote dhe zgjodhën rreth 140 kryetarë qytetesh e komunash, si dhe asambletë komunale e këshillat e qyteteve.
Për shkak të përmbytjeve nga shirat e dendur e rrëshqitjeve të dheut, zgjedhjet u shtynë në pesë komuna të Bosnjës.