Pasi theu sigurinë portuale në Durrës, duke vënë në diskutim funksionimin e radarëve, anija tregtare me kapiten sirian dhe ekuipazh egjiptian iu drejtua Rijekës në Kroaci. Autoritetet tona njoftuan ato kroate. E ngarkuar me 6 mijë ton kripë, “Sea Scanner” hyri në Portin e Durrësit më 23 Qershor. Por dje, Kapiteni Ezzat Hamadeh sfidoi rregullat e lundrimit e të transportit ndërkombëtar të mallrave, duke u larguar në mënyrë klandestine, bashkë me 500 tonë kripë kontrabandë. Kjo sasi e dëmtuar në hambarët e papastruar të anijes, u kthye në mollë sherri me kompaninë “Jurgen XXL”, lidhur me dëmshpërblimin e mallit.