Tre policët kufitarë që sot u liruan nga autoritetet e Serbisë, u kthyen në Kosovë, përmes vendkalimit kufitar në Merdare. Pa komente për mediat, ata hynë në automje të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës. Nga autoritetet serbe, Beqir Sefa, Mustafë Shemi e Rifat Zeka u akuzuan për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve e lëndëve plasëse. Më 16 qershor u lanë në paraburgim, por, sot Gjykata e Kralevës vendosi lirimin, çka përbën zmbrapsje të Serbisë. Tashmë do të mbrohen në liri.
Arrestimi nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, që vazhdimisht kërkoi lirimin e tyre. Qeveria e Kosovës pretendoi se u rrëmbyen në territorin e vendit. Por, në Serbi thanë se policët kishin hyrë në thellësi të tokës serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se “ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar”.
Agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës. I gëzuar për kthimin e policëve te familjet e tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndër të tjera tha se lirimi i policëve “nuk e shkarkon Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant të agresionit kundër Kosovës”.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se përndjekja e policëve nga Serbia do të vazhdojë në liri, “ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë”.
Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës. Policët kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se “kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, por gjithsesi shumë i mirë”.
E para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e deeskalimit e të dialogut.