Dy vjet pas momentit që bëri xhiron e rrjetit në ceremoninë e “Golden Globes”, Selena Gomez dhe Timothée Chalamet do të punojnë sërish së bashku në një projekt të ri kinematografik.
Dy yjet e Hollywood-it janë bërë pjesë e filmit të animuar “Not Alone”, një projekt i studios Illumination, i njohur për sukseset e saj në zhanrin e animacionit. Ky bashkëpunim shënon ribashkimin e tyre në ekran pas filmit “A Rainy Day in New York”, ku luajtën së bashku në vitin 2019.
Lajmi ka rikthyer vëmendjen edhe te momenti viral i “Golden Globes”, kur Selena Gomez u pa duke biseduar me Taylor Swift dhe disa fansa spekuluan se ajo po diskutonte për Timothée Chalamet dhe partneren e tij, Kylie Jenner. Edhe pse asnjëherë nuk u konfirmuan këto pretendime, skena u bë një nga momentet më të komentuara të ceremonisë.
Në filmin e ri, Timothée Chalamet do të debutojë si aktor zëri, duke interpretuar personazhin Joe, një mekanik raketash me natyrë të rezervuar. Ndërkohë, Selena Gomez do t’i japë zërin Fran, një astro-botaniste e talentuar që po zhvillon raketën e parë të fuqizuar nga bimët. Historia do të ndërthurë aventurën, humorin dhe romancën, teksa dy personazhet përballen me një grup alienësh të vegjël që kërkojnë të kthehen në shtëpi.
Filmi “Not Alone” u prezantua gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy dhe pritet të dalë në kinema më 16 prill 2027. Në kastin e zërave do të jenë edhe emra të njohur si Brett Goldstein, Allison Janney dhe Lamorne Morris.
Ribashkimi i Selena Gomez dhe Timothée Chalamet ka ngjallur menjëherë entuziazëm te fansat, të cilët presin të shohin sërish kiminë e tyre artistike në një projekt krejtësisht ndryshe nga bashkëpunimi i tyre i mëparshëm.