Pas daljes së rezultateve të para, ish-kryeministri Sali Berisha, kandidatët e të cilit janë nën siglën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” paralajmëroi mosnjohjen e rezultatit, të paktën në Kamëz.
Të dhëna të besueshme dëshmojnë se Kamza është manipulim digjital monstruoz, monstruoz. Demokratët në zgjedhjet e vitit 2021 ishin disa mijëra vota përpara socialistëve.
Ndërkohë, manipulimi digjital e nxjerr PS-në 10 mijë vota para këtij koalicioni. Ky është absolutisht një rezultat i gatuar në mënyrë digjitale dhe hidhet poshtë, me vendosmërinë më të madhe. Edhe njëherë them se rezultati i Kamzës, pasi u krahasuan rekordet elektorale dhe anketat, janë kryekëput të manipuluara.
Kur them për Kamzën, atëherë problemi digjital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë. Kemi indicie të tjera, sipas të cilave, sistemi është vendosur në kontrolle të dyfishta, por edhe njëherë janë për t’u verifikuar këto.
Më herët, në një tjetër dalje publike Berisha shprehej:
Unë kërkoj nga KQZ-ja që të bëjë auditim e këtyre aparaturave. Aty ky dyshohet se është devijuar rezultati do të kërkohet auditimi. Rezultati elektronik quhet paraprak, sepse provohet gjithnjë fleta e votimit përkatëse.
Berisha u shfaq optimist për rezultatin në zgjedhje. “Eshtë i sigurt pozitiv”, deklaroi ai duke i bërë thirrje komisionerëve “të mbikqyrin çdo votë aty ku janë”. Nga ana tjetër, akuzoi kryeministrin për “blerje masive të votës” dhe përdorimin, siç u shpreh “të bandave kriminale që kanë kërcënuar qytetarët”.
Në krah të Berishës, dje në mbrëmje ishte Salvator Kaçaj, emër i njohur në zonat e Shëngjinit dhe Lezhës, i cili mbështeti kandidatin e opozitës. Berisha tha se ndaj Kaçajt u tentua një atentat, që sipas tij u urdhërua nga kryetari aktual i Bashkisë së Lezhës dhe kandidati socialist në këtë garë, Pjerin Ndreu. Në disa komunikime me mediat, Ndreu i hodhi poshtë si trillime akuzat ndaj tij.