SHBA-ja ka njoftuar së fundmi se do të prezantojë pasaportat neutrale gjinore këtë muaj, duke u dhënë amerikanëve mundësinë për të shënuar “X” në vendin ku shënohet gjinia dhe jo të identifikohen si mashkull apo femër. Ndërkohë, qershorin e kaluar Departamenti i Shtetit tha se njerëzit mund të zgjidhnin gjininë e tyre si “M” ose “F” pa pasur nevojë të sigurojnë certifikatë mjekësore nëse gjinia nuk përputhej me dokumentacionin e tyre, sipas një politike të mëparshme.

Por, tashmë sipas mediave të huaja opsioni “X” do të paraqitet më 11 prill, në një përpjekje për të bërë që njerëzit të jenë më të qetë dhe të mos ketë nëvojë që të tregojnë gjininë e tyre. Në një deklaratë, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se ndryshimi do ta ndihmonte shtetin t’u shërbejë më mirë të gjithë qytetarëve amerikanë, pavarësisht nga identiteti i tyre gjinor.

Përfaqësuesja amerikane për të drejtat e LGBTQ-së, Jessica Stern, tha se shtimi i një shënuesi X në pasaportat amerikane është një hap i rëndësishëm.
Shtimi i këtij shënuesi e shtyn SHBA-në përpara drejt sigurimit që sistemet tona administrative të llogarisin diversitetin e identitetit gjinor, shprehjen gjinore dhe karakteristikat gjinore midis qytetarëve amerikanë. Kjo nuk krijon përkufizime dhe as të drejta të reja. Ky ndryshim i politikës njeh identitetin e vërtetë të mbajtësit të pasaportës. Realitetet e jetuara të personave transgjinorë, interseks, jobinarë dhe jokonform gjinor reflektojnë se ekziston një spektër më i gjerë njerëzimi sesa përfaqësohet nga një përcaktim binar i seksit në pasaporta.