Rajoni

PE: Marrëveshja Kosovë-Serbi të bazohet në njohjen reciproke!

Komisioni i Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme miratoi sot raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Për Kosovën, i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët. Në të Serbisë thuhet se marrëveshja përfundimtare me Prishtinën duhet të bazohet në njohjen reciproke. Ndërkohë, në raportin e Bosnjës dënohet ashpër çdo përpjekje, që minon shtetësinë e këtij vendi. Tashmë, raportet do të diskutohen dhe miratohen si rezoluta të Parlamentit Europian, me peshë politike, por jo detyruese për vendet anëtare të BE-së.

Për herë të parë, Parlamenti Europian thotë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”. Ky vlerësim u prezantua gjatë votimit për amendamentin në raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit. Për këtë dokument votuan pro 50 anëtarë, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.

Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në Serbi, raporti i votuar në Komisionin e PE-së për Punët e Jashtme përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë, në procesin e anëtarësimit në BE. Raportuesi Vladimir Bilçik shprehu dëshirën që në Serbi, të kuptojnë sa urgjente është të shkohet para në rrugën europiane.

Mund të bëhet më shumë për të ecur me vendosmëri drejt BE-së dhe si raportues i PE-së, jam i gatshëm të punoj së bashku me lidershipin e ri në Beograd, për të ndihmuar në arritjen e ndryshimeve pozitive për Serbinë europiane.

Rezolutat e PE-së kanë peshë politike, por nuk janë detyruese për vendet anëtare të BE-së. Në draft-raportin për Serbinë, shprehet keqardhje për faktin se ky vend nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Ka pasur shumë amandamente të propozuara nga disa deputetë, që të kushtëzohet procesi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE, me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.