Bota

Pensilvani, rrëzohet një avion me 6 persona në bord!

Një avion transporti u rrëzua në Filadelfia, rreth 30 sekonda pasi u ngrit, duke dëmtuar disa shtëpi në një kryqëzim të ngarkuar të qytetit. Gjashtë persona ishin në bord, siç njoftoi Administrata Federale e Aviacionit. Rrëzimi tronditi banorët dhe ndodhi dy ditë pas përplasjes së një helikopteri ushtarak me një avion në Uashington.

Gjithçka që dëgjuam ishte një zhurmë e fortë dhe nuk e dinim nga po vinte. Pas pak, pamë shtëllungën e madhe të tymit, tha Jim Quinn, banor i një lagjeje të qytetit afër zonës ky ndodhi aksidenti.

Shpërthimi ndodhi më pak se 4.8 kilometra nga aeroporti verilindor i Filadelfias, i cili kryesisht shërben  për avionët e biznesit dhe fluturimet çarter. Avioni “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak kohë pas ngritjes nga aeroporti në orën 18:06 dhe pasi arriti në një lartësi prej 487 metrash. Avioni po udhëtonte drejt qytetit të Springfildit në Mizuri dhe ishte i regjistruar në pronësi të kompanisë “Med Jets”, sipas faqes së internetit “Flight Aware”, që merret me gjurmimin e fluturimeve.

Përplasja vjen dy ditë pas katastrofës më vdekjeprurëse të aviacionit në vend në pothuajse 25 vjet. Një avion i kompanisë “American Airlines” me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit u përplas në ajër të mërkurën në mbrëmje në Uashington me një helikopter të ushtrisë amerikane, me tre ushtarë në bord. Nuk pati asnjë të mbijetuar nga ky aksident.

Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro tha se ai ka ofruar të gjitha “burimet e shtetit për të reaguar ndaj aksidentit në Filadelfia”.