Tech

Përdoruesit e DeepSeek në SHBA mund të përballen me gjobë miliona dollarëshe!

Një ligj i propozuar së fundmi mund t’i bëjë njerëzit në SHBA të përballen me gjoba të konsiderueshme apo edhe me burg, për përdorimin e aplikacionit kinez të AI DeepSeek. Projektligji, i paraqitur nga senatori republikan Josh Hawley, synon të ndalojë personat e Shteteve të Bashkuara të avancojnë aftësitë e inteligjencës artificiale brenda Republikës Popullore të Kinës dhe për persona të tjerë. Ligji i propozuar do të parandalonte importimin e teknologjisë ose pronës intelektuale të zhvilluar në Kinë, ku kushdo që shkel kufizimet do të përballet me 20 vjet burg.

Individët gjithashtu mund të gjobiten deri në 1 milion dollarë, ndërsa për bizneset mund të arrijë deri në 100 milion dollarë. Edhe pse nuk e përmend DeepSeek me emër, kjo ndodhë vetëm një javë pasi chatbot kinez u bë aplikacioni më i popullarizuar i AI në SHBA, duke shkaktuar rënien e stoqeve të teknologjisë në SHBA. Popullariteti i tij i papritur nxiti shqetësime për sigurinë dhe privatësinë duke përfshirë paaftësinë e DeepSeek për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth temave të ndjeshme për Partinë Komuniste Kineze.

Presidenti i SHBA, Donald Trump e përshkroi aplikacionin kinez si një “thirrje zgjimi” për industrinë amerikane të teknologjisë, me Shtëpinë e Bardhë që raportohet se vlerëson ndikimet e DeepSeek në sigurinë kombëtare. Marina e Shteteve të Bashkuara i ka ndaluar anëtarët e saj që të përdorin DeepSeek, për detyra të lidhura me punën ose për përdorim personal, ndërsa NASA e ka ndaluar teknologjinë e AI në pajisjet dhe rrjetet e lëshuara nga qeveria. Teksasi u bë i pari që zbatoi një ndalim për pajisjet qeveritare.

Australia gjithashtu ka ndaluar shërbimet e DeepSeek AI nga të gjitha sistemet dhe pajisjet qeveritare. Me këtë është bërë një nga vendet e para që ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër një startup kinez të inteligjencës artificiale që tronditi Silicon Valley dhe tregjet globale këtë vit. Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke tha në një deklaratë se të gjitha produktet, aplikacionet dhe shërbimet e DeepSeek do të hiqen nga sistemet qeveritare për arsye të sigurisë kombëtare, menjëherë.