Suksesi i aplikacionit DeepSeek është një shembull i rritjes së kompanive kineze të inteligjencës artificiale (AI). Përparimi i aplikacionit kinez të inteligjencës artificiale (AI) DeepSeek reflekton rritjen e kompanive kineze në këtë fushë, tha një zyrtar i parlamentit kinez, Lu Cinijan. Lu, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me përparimin e Kinës në fushën e inteligjencës artificiale, tha se ajo që ka arritur ekipi i ri i start-up-it kinez të AI DeepSeek “është për t’u lavdëruar”. Ai shtoi se DeepSeek ndjek një qasje me kod të hapur dhe promovon përdorimin e gjerë të teknologjisë AI në nivel global, si dhe se përmes ngritjes së kompanive si DeepSeek, mund të shohim inovacionin dhe përfshirjen e zhvillimit teknologjik kinez”.
Kompania kineze DeepSeek, e njohur për zhvillimin e chatbot-eve dhe modeleve të inteligjencës artificiale, po përballet me sfida serioze në lidhje me sigurinë kibernetike. Hulumtimet e kompanisë Tenable kanë zbuluar se modeli i saj më i fundit, DeepSeek R1, mund të mashtrohet për të gjeneruar kode të dëmshme, përfshirë ‘keyloggers’ dhe skripta ‘ransomware’. Megjithëse DeepSeek R1 ka masa mbrojtëse që teorikisht parandalojnë krijimin e këtyre kodeve, studiuesit kanë arritur, përmes pyetjeve të përshtatshme, të marrin struktura bazë të ‘malwareve’.
Këto zbulime ngritin shqetësime për keqpërdorimin e mundshëm të inteligjencës artificiale në sulmet kibernetike. Edhe pse kodet e gjeneruara nuk janë plotësisht funksionale pa modifikime shtesë, ato ofrojnë informacion të mjaftueshëm që edhe përdoruesit më pak të përvojë mund të mësojnë bazat e krijimit të ‘malwareve’. Një situatë e tillë kujton tendenca të ngjashme, ku mjetet e AI janë keqpërdorur për krijimin e e-maileve mashtruese (phishing), përkthimin e teksteve dhe gjenerimin e skriptave, duke krijuar përmbajtje më të besueshme për sulme.
DeepSeek ruan të dhënat e përdoruesve në Kinë, ku ligjet e detyrojnë kompaninë të ndajë informacionet me shërbimet inteligjente kur kërkohet, gjë që shton shqetësimet për privatësinë dhe sigurinë e të dhënave të përdoruesve. Në dritën e këtyre zbulimeve, përdoruesve u këshillohet të jenë të kujdesshëm kur përdorin mjete të AI si DeepSeek, të shmangin ndarjen e informacioneve të ndjeshme dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme të lidhura me këto teknologji.