Rajoni

Përfundojnë dëshmitë e Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë!

Në seancën e sotme në Hagë u mbyll faza e prezantimit të dëshmitarëve të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në mungesë të dëshmitarit të fundit, seanca u përfundua më herët nga sa ishte planifikuar, pa u dhënë detaje mbi një datë të re kur do të vazhdojë gjykimi.

Pjesa e mbetur e seancave të kësaj jave janë anuluar dhe gjykimi është shtyrë deri në një njoftim të mëtejshëm.

Zëdhënësi i ZPS-së, Chrisopher Bennet, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ZPS-ja do ta përmbyllë të gjithë rastin, deri më 15 prill.

Në këtë fazë, ZPS-ja nuk do të japë deklarata të tjera në gjykatë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dëshmitari që sot duhej të jepte dëshminë ishte i 125-ti. Më herët, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se nuk do të ftonte asnjë dëshmitar pas 4 prillit.

Kur u deklarua se dëshmitari i fundit “nuk ishte në gjendje të paraqitej”, ZPS-ja kërkoi që dëshmia e tij të pranohej me shkrim. Teksa ZPS-ja përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve, të cilët deklaruar të pafajshëm do të paraqesin rastin e tyre.

Gjykimi nisi në prill të vitit 2023 dhe ekipet mbrojtëse, vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi. Ata gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë prej katër vitesh e vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, pati thënë se iu takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj. Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.