Rajoni

“Pengim i drejtësisë”, në Hagë nis gjykimi ndaj Thaçit e 4 të akuzuarve të tjerë!

Sot në orën 09:30, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë zhvillohen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilaj, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, personat e sipërpërmendur dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarë dhe kanë dhënë udhëzime për ndikim në dëshmitë e tyre, me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit gjyqësor.

Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërkaq, Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Më 29 nëntor 2024, Gjykata Speciale njoftoi se është konfirmuar aktakuza kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.

Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, Prokuroria do të vazhdojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues. Seancat e gjykimit janë planifikuar nga 2 deri më 6 mars.