Për më shumë se dy vjet, në një procedurë të tejzgjatur, ish-krerët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Gjatë kësaj kohe, Prokurori i Specializuar kur shpalosi provat në çështjen e tij u konsiderua që shpeshherë ishin edhe paragjykuese për të pandehurit.
Prokuroria ka pasur një qasje njëanësore, paragjykuese ndaj të pandehurve, kanë bërë përpjekje masive që brenda kornizës ligjore, brenda asaj që ua lejon kodi i procedurës penale, apo rregullat e gjykatës, të ushtrojnë të gjitha kompetencat për tua vështirësuar jetën të pandehurve në Hagë.
Përpos kësaj, Avokati i Popullit në Kosovë ka vërejtur një sërë shkeljesh në të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së.
“Komunikimet janë të kufizuara, distanca është shumë e largët mes familjeve dhe vendit ku ndodhen këta të paraburgosur, pastaj mbikëqyrja e bisedave dhe mbikëqyrja e kontakteve dhe komunikimeve është shumë problematike”, shprehet Avokati i Popullit, Naim Qerlaj. Avokati i Popullit duke listuar edhe një numër shqetësimesh, thotë se më e problematikja është mungesa e llogaridhënies së Gjykatës Speciale, për çka kërkon edhe aktivizim të institucioneve të Kosovës.
Mungesa e llogaridhënies, mungesa e mbikëqyrjes, mungesa e raportimit dhe krejt kjo e bën këtë Gjykatë, jotransparente në raport me publikun, krijon mjegulli dhe paqartësi dhe kur i referohemi shqetësimeve që ngritën edhe nga mbrojtja e opinioni publik, natyrisht që për mua si avokat i Popullit kjo tregon një moment kur duhet të ndërhyhet.