Health & Beauty

Përkufizimi i obezitetit duhet të ndryshojë, flasin ekspertët!

Ekziston rreziku që shumë njerëz të keqdiagnostikohen si obezë dhe duhet përdorur një përkufizim më i saktë dhe më i detajuar i kësaj sëmundjeje. Më shumë se 50 mjekë nga e gjithë bota kanë mbështetur raportin, në të cilin ekspertët argumentojnë se mjekët duhet të shikojnë shëndetin e përgjithshëm të pacientëve me yndyrë të tepërt trupore, jo vetëm indeksin e masës trupore. Personat me sëmundje kronike të shkaktuara nga mbipesha duhet të diagnostikohen me “obezitet klinik”, ndërsa ata pa probleme shëndetësore duhet të diagnostikohen me “obezitet paraklinik”, thuhet në raportin e ekspertëve botërorë, publikuar në revistën shkencore “The Lancet Diabetes & Endocrinology”.

Më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën jetojnë me obezitet dhe ilaçet për humbje peshe janë shumë të kërkuara. Raporti bën thirrje për një “riformulim” të obezitetit për të bërë dallimin midis pacientëve me këtë sëmundje dhe atyre që janë ende të shëndetshëm, por në rrezik të zhvillimit të sëmundjes në të ardhmen. Aktualisht, në shumë vende, obeziteti përkufizohet si një BMI më e madhe se 30, që është masa që vlerëson yndyrën e trupit bazuar në gjatësinë dhe peshën.

Megjithatë, BMI nuk jep informacion për shëndetin e përgjithshëm të pacientit, nuk bën dallimin midis muskujve dhe yndyrës së trupit dhe as nuk merr parasysh yndyrën rreth belit dhe organeve. Ekspertët sugjerojnë se obeziteti duhet parë si një sëmundje që prek organet, si zemra dhe mushkëritë dhe kërkon trajtim me ilaçe, ndërsa personat me “obezitet paraklinik” duhet të marrin këshilla për humbje peshe në vend të mjekimeve dhe kirurgjisë. Qasja e re do të lejonte të rriturit dhe fëmijët obezë të marrin kujdesin e duhur mjekësor, duke reduktuar kështu numrin e njerëzve që diagnostikohen gabimisht dhe u jepen trajtime të panevojshme.

Një studim thotë se mbipesha dhe obeziteti kanë një ndikim të fortë në tru. Kur njeriu, i madh apo i vogël, është obez, në trurin e tij nxitet një reagim inflamator që motivon ushqyerjen pa karar dhe të keqe, e cila më pas rrit predispozitën e një shëndeti të ligë në të ardhmen. Nëse që fëmijë njeriu mësohet të hajë me tepri, kur të rritet, truri do e nxisë të ushqehet me të njëjtat ritme, frekuencë dhe intenstitet. Studiuesit janë të alarmuar për faktin se obeziteti tek tek fëmijët është katërfishuar në 40 vitet e shkuara, sepse sipas tyre, sa më obezë të jenë njerëzit në fëmijëri, aq më problematik do të jetë shëndeti i tyre.