Një 36-vjeçar nga Lezha u vu nën hetim, i dyshuar se shkaktoi aksidentin e djeshëm në aksin Milot-Bushnesh. Policia bën të ditur se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur tre persona, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. D., 36 vjeç, sepse dje, në aksin rrugor “Milot-Bushnesh”, automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasi malazez, B. S., 36 vjeç. Nga aksidenti, janë dëmtuar lehtë, shtetasi B. S. dhe 2 pasagjerë në automjetin që drejtonte ai.
Dje në një tjetër aksident rrugor u shënuan dy viktima, nënë e bir dhe pesë të plagosur, në aksin kombëtar Peqin-Elbasan, në fshatin Paulesh. Një automjet tip Benz dhe një furgon pasagjerësh u përplasën mes tyre. Të lënduarit u dërguan në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rreziku për jetën.
Njoftimi policor i një dite më parë:
Një furgon që drejtohej nga 44-vjeçari me iniciale A.B., është përplasur me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. Sh. Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit tip “Benz” shtetasi K.Sh., dhe shtetasja F.Sh., 55 vjeçe, pasagjere në këtë automjet. Ata janë nënë e bir.
Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i furgonit, shtetasi A. B., dhe 4 pasagjerë që udhëtonin me furgon, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.