Health & Beauty

Përse nxjerrim gjuhën kur jemi duke kryer një detyrë? Flasin ekspertët!

Kur fëmijët përqendrohen në një detyrë të caktuar, me siguri keni vënë re se rrudhin ballin, ndalin frymëmarrjen dhe nxjerrin gjuhën. Është interesante se edhe të rriturit bëjnë të njëjtën gjë, kafshojnë buzët, rrudhin ballin dhe mbajnë frymën kur duhet të kryejnë një detyrë të ndërlikuar, veçanërisht nëse për të duhet të përdorin duart. Një nga shpjegimet për këtë lidhje mes fytyrës dhe duarve qëndron në fenomenin e quajtur mbingarkesë nervore.

Bëhet fjalë për faktin se sinjalet nga rajonet motorike të trurit, përgjegjëse për lëvizjen, mund të “derdhen” në zona fqinje. Meqenëse rajonet që kontrollojnë lëvizjet e duarve ndodhen shumë pranë atyre që kontrollojnë fytyrën dhe gjuhën, aktivizimi i një zone mund të nxisë pa dashje edhe tjetrën. Kjo është veçanërisht e dukshme te fëmijët, sepse rrjetet e tyre të neuroneve janë ende në zhvillim, ndaj më lehtë ndodhin këto “lidhje të gabuara”.

Megjithatë, edhe te të rriturit, truri di të “shfrytëzojë” zonat përreth për të përmirësuar saktësinë dhe koordinimin.  Një tjetër shpjegim i mundshëm për këtë sjellje lidhet me fazat më të hershme të zhvillimit njerëzor; foshnjat e nisin jetën me një kontroll shumë të kufizuar mbi gjymtyrët e tyre. Atyre u duhet kohë për të zhvilluar koordinimin dhe aftësinë për të kryer lëvizjet që dëshirojnë, por ajo që kontrollojnë shumë më mirë që në fillim janë goja dhe buzët.

Përmes tyre eksplorojnë botën dhe komunikojnë, ndaj në tru formohen lidhje të forta të neuroneve mes duarve dhe gojës. Edhe pse këto lidhje me kalimin e kohës bëhen më pak të dukshme, ato shpesh vazhdojnë të ekzistojnë në nivel nënndërgjegjësor dhe ndonjëherë shfaqen edhe në moshën e rritur. Nxjerrja e gjuhës mund të jetë gjithashtu një mënyrë që personi, në mënyrë të pavetëdijshme, të rregullojë emocionet e tij, sidomos në situata që kërkojnë përqendrim intensiv. Sipas disa psikologëve, këto lëvizje mund të jenë shprehje e një organizimi më pak efikas neuronesh.