Njerëzit me apnea obstruktive të gjumit të patrajtuar shoqërohen me një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit edhe pse sipas ekspertëve të mjekësisë, përdorimi i presionit të vazhdueshëm pozitiv të rrugëve të frymëmarrjes (CPAP) mund të zvogëlojë gjasat e përparimit të gjendjes.
Në këtë përfundim del një studim i kryer nga shkencëtarë në Universitetin e Shëndetit dhe Shkencës së Oregonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ekipi, i udhëhequr nga Gregory Scott dhe Lee Neilson, shqyrtoi të dhënat elektronike mjekësore të mbi 11 milion veteranëve ushtarakë amerikanë që morën kujdes në spitalin universitar midis viteve 1999 e 2022, pra për një periudhë kohore disi të gjatë.
Parkinsoni, siç shpjegojnë ekspertët, është një sëmundje neurodegjenerative që prek miliona njerëz në të gjithë botën dhe incidenca e saj pritet të rritet progresivisht te njerëzit mbi moshën 60 vjeç.
Apnea e gjumit, nga ana tjetër është një gjendje e zakonshme në të cilën frymëmarrja ndalet dhe fillon në mënyrë të përsëritur gjatë gjumit, duke e penguar trupin të marrë oksigjen të mjaftueshëm.