E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë gazetarja dhe aktivistja Zhaklin Lekatari. Ajo ka diskutuar mbi barazinë gjinore por jo vetëm…
Pse nuk e ke çuar zërin tënd në parlament?
Nuk kam interes. Në fakt unë për diplomaci kam mbaruar dhe kur kam qenë vajzë e re më pëlqente shumë politika. Ende më pëlqen, unë e ndjek me shumë kërshëri. E mbaj mend kur kam filluar të ndjek lajme politike ka qenë lufta e Gulfit, babai im ka qenë ende gjallë, e shikoja bashkë me të. Mbaj mend Sadam Huseini, që unë i thërrisja Sallam Hysen, se nuk ia mbaj mend emrin, nuk e fiksoja dot. E kam një pasion për politikëb, por nuk mendoj se është vendi im aty. Mua më pëlqen kjo që bëj, më pëlqen të jem pjesë e shoqërisë civile, më pëlqen të kritikoj qeverinë, më pëlqen të punoj në shoqëri civile dhe të jem afër shtresave vulnerabël, të jem në terren, t’i prek njerëzit nga afër. Nuk dua të shkëputem nga toka dhe nga njerëzit.
Ka një paragjykim që nëse je në parlament, je i shkëputur nga populli. Mund t’i bësh të dyja…
Jo. Duhet të jesh i shkëputur sepse aty je i institucionalizuar, je në institucion, je brenda sistemit dhe do përdorësh rregullat e sistemit për të ndryshuar sistemin. Dhe sigurisht që do jesh i kornizuar edhe nga pozita jote. Ndërsa unë nuk dua të jem e kornizuar, dua të jem e lirë dhe kjo gjëja që bëj më jep mundësinë që të jem e lirë. Për mua liria është më e rëndësishme se sa statusi që do më jepte të qenurit pjesë e politikës apo e qeverisë.