Bota

‘Shpikje të sajuara’/ Meloni i përgjigjet Trump:talia nuk i lutet askujt…

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke i cilësuar si “tërësisht të sajuara” pretendimet se ajo i ishte lutur për të bërë një foto së bashku gjatë samitit të G7 në Francë.

Në një deklaratë publike, Meloni tha se mbeti e habitur nga komentet e Trump, duke theksuar se nuk e kupton pse presidenti amerikan sillet në këtë mënyrë ndaj aleatëve të tij.

“Nuk e di pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet kështu me aleatët e tij. Ka vetëm një gjë që duhet të kujtojë: as unë dhe as Italia nuk i lutemi askujt”, u shpreh Meloni.

Komentet e Trump u bënë gjatë një interviste për një televizion italian, ku ai pretendoi se Meloni i ishte lutur të realizonin një foto së bashku gjatë samitit të G7 dhe se ai kishte pranuar vetëm “nga keqardhja”. Pamjet nga samiti, megjithatë, tregojnë dy liderët duke biseduar pranë njëri-tjetrit gjatë takimit.

Polemika ka shkaktuar reagime të forta në Itali. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi anulimin e vizitës së planifikuar në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme, duke i cilësuar deklaratat e Trump si “të rënda dhe fyese” ndaj kryeministres dhe gjithë Italisë.

Edhe Giovanbattista Fazzolari, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Melonit, kritikoi presidentin amerikan, duke deklaruar se deklarata të tilla rrezikojnë të dëmtojnë marrëdhëniet historike mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Përplasja vjen vetëm pak ditë pas samitit të G7, ku dukej se marrëdhëniet mes Melonit dhe Trump ishin përmirësuar pas tensioneve të mëparshme lidhur me konfliktin në Iran.