Detaje të reja nga plagosja në Tiranë e një efektivi policie. Anxhelo Kumaraku gjendej pranë banesës së tij në Shkozë, i shoqëruar nga fqinji, person me masë sigurie “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.
Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë pikërisht ky i fundit e ngjarja mund të lidhet me prishje të pazareve të drogës me persona të tjerë.
Nuk dihet fakti pse efektivi shoqërohej me objektivin, i cili në momentin e ngjarjes kishte thyer vendimin e gjykatës.
Ndërkohë efektivi i plagosur, Anxhelo Kumaraku nuk rezulton të ketë njoftuar policinë për shkeljen nga fqinji.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A.K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.