Aktualitet

Platformë E-Visitor, për uljen e informalitetit të Airbnb dhe Booking!

Në kuadër të rritjes së turizmit dhe monitorimit të tij do të krijohet platforma E-Visitor, që nga viti 2025 do të mbledhë të dhëna të sakta për numrin e vizitorëve dhe rezervimet nga platformat si Airbnb e Booking. Kjo u bë e ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Platforma do të ndihmojë në uljen e informalitetit nga strukturat e akomodimit e në përmirësimin e monitorimit të sektorit turistik.

Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Kumbaro prezantoi projektbuxhetin e dikasterit që drejton për vitin 2025, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve të reja për promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e mjedisit. Ministrja deklaroi se “projektbuxheti i vitit 2025 do të ketë një rritje prej 7.9% krahasuar me vitin e kaluar ndërsa investimet e brendshme do të rriten me 19% ose 173 milion lekë më shumë.”

Një nga investimet kryesore do të jetë rikualifikimi i Eko-Parkut të Ulzës, një projekt i cili, sipas saj, do të zhvillohet në tri vite me një kosto totale prej 523 milion lekësh.

Punimet për Eko-Parkun e Ulzës kanë nisur këtë vit dhe parashikojmë që ato të avancohen më tej në vitin 2025.

Kumbaro theksoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe promovimin e turizmit ekologjik në rajon.

Një tjetër projekt madhor është ndërtimi i Qendrës Multifunksionale për Parkun Kombëtar të Vjosës, me një buxhet prej 690 milion lekësh.

Qendra kryesore do të ndërtohet në Tepelenë, aty ku lidhet Vjosa me lumin Drino ndërsa dy pika të tjera do të vendosen në Përmet dhe Nartë, Vlorë. Këto qendra do të ofrojnë shërbime për vizitorët dhe infrastrukturë për kërkime shkencore mbi biodiversitetin unik të Vjosës.

Ministrja nënvizoi:

Të gjitha këto do të shpjegojnë jo vetëm përmes edukimit, por edhe përmes informacionit të prezantuar në mënyrë reale dhe moderne të gjithë biodiversitetin e Vjosës, të cilin shkencëtarët ndërkombëtarë e quajnë laborator natyror unik për faktin se është lumi i fundit i egër në Europë.

Në fushën e mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ministria do të mbështesë bashkitë bregdetare në pastrimin e vijës bregdetare gjatë sezonit 15 qershor-15 shtator 2025. Po ashtu do të investohet në menaxhimin e mbetjeve, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë përmes programeve të posaçme.

Kumbaro theksoi se Shqipëria ka pritur 9.7 milion vizitorë të huaj ose 17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë e paralelisht janë rritur edhe të ardhurat nga sektori i turizmit duke arritur shifrën 2 miliardë lekë për gjashtë muajt e parë të vitit 2024 ose 500 milion euro më shumë se gjashtë-mujori i parë i vitit 2023.

Këtë vit, turizmi po shfaq dy karakteristika kryesore, të cilat parashikojmë se në vitin 2025 do të theksohen akoma më shumë. Së pari, është shtrirja në kohë dhe së dyti, shtrirja në territor. Për 9-muajt e parë të vitit, zonat e mbrojtura u vizituan nga 4,5 milion vizitorë vendas e të huaj (shifër që tejkalon gjithë vitin 2023), ndërsa sitet e kulturës arritën rekordin e 1,1 milion vizitorëve.