Bazoule, “fshati i krokodilëve” në Burkina Faso, Afrikë, po tërheq vëmendjen e vizitorëve. Krokodilët, të cilët konsiderohen të shenjtë për shkak të një legjende që daton 500 vjet më parë, mbrohen nga banorët vendas në fshatin, i cili është 30 kilometra larg kryeqytetit Vagadugu.

Turistët që shkojnë në rajon mund t’i shohin nga afër krokodilët nën mbikëqyrjen e kujdestarëve, të bëjnë foto dhe t’i ushqejnë me pagesë. Disa nga vizitorët e fshatit prekin krokodilët dhe bëjnë foto me ta. Ndërkaq, rikujtojmë se mbetjet fosile të një krokodili rreth 17 milionë vjeç u gjetën pranë një miniere qymyri në Poloninë qendrore.
Mbetjet përfshijnë pjesë të kafkës, dhëmbëve dhe skeletit, dhe analizat paraprake sugjerojnë se është një krokodil nga familja gavial ose një i afërm i saj i ngushtë nga epoka e Miocenit, raportojnë mediat polake. Fosili u zbulua gjatë kërkimeve nga shkencëtarët polakë dhe çekë në minierën Belhatow në Poloninë qendrore. Marcin Gorka, nga Fakulteti i Gjeologjisë i Universitetit të Varshavës, i cili mori pjesë në zbulimin e mbetjeve, i tha agjencisë polake të lajmeve se shkencëtarët po kërkonin mbetjet e vertebrorëve dhe se ky ishte i vetmi fragment që ata arritën të gjenin në atë zonë.