Bota

“Po vijnë ditë të vështira për Europën”/ Macron thërret liderët evropianë në një takim urgjent!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka ftuar liderët evropianë në një samit të hënën në Paris, tha sot Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, pasi lëvizjet diplomatike të administratës Trump për Ukrainën, po shqetësojnë Evropën.

Kryeministri polak Donald Tusk “do të marrë pjesë në një takim të liderëve evropianë të hënën me ftesë të presidentit Emmanuel Macron. Ne duhet të tregojmë forcën dhe unitetin tonë”, tha ministri i Jashtëm polak në një postim në X.

Ministri i Jashtëm francez në Konferencën e Mynihut: Evropa duhet të marrë vendime të vështira

Europa do të duhet të marrë vendime të vështira dhe të bëjë sakrifica për të menaxhuar kërcënimet me të cilat përballet dhe për të garantuar sigurinë e saj, tha sot ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Duhet të përgatitemi. Do të na duhet të përballemi me ditë të vështira, të marrim vendime komplekse dhe madje të bëjmë sakrifica që nuk i prisnim deri më tani për të garantuar këtë siguri,” tha Barrot, duke folur para gazetarëve në konferencë.
Barro tha gjithashtu se ai beson, pas bisedimeve me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, se qeveria e SHBA është ende duke krijuar pikëpamjen e saj mbi mënyrën se si SHBA duhet të trajtojë krizën në Ukrainë.

Ndërkohë, katër burime evropiane të cituara nga Reuters thanë se SHBA u ka dërguar një notë diplomatike kryeqyteteve evropiane duke i pyetur se çfarë mund të kontribuojnë në garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka përshkruar kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si një “elektroshok” që duhet të detyrojë Evropën të sigurojë të ardhmen e saj si dhe të Ukrainës.

Në një intervistë për ‘Financial Times’, menjëherë pasi Trump ra dakord me Vladimir Putinin për të mbajtur bisedime për paqen, Macron mbrojti nevojën që Evropa të forcojë mbrojtjen dhe ekonominë.

Ai këmbënguli se vetëm presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mund të negociojë në emër të vendit të tij, duke paralajmëruar se lejimi i “paqes që është kapitullim” do të ishte “lajm i keq për të gjithë”, përfshirë SHBA-në.