Sport

Pogradeci “mbyll” stadiumin, nuk ka më fazë përgatitore verore për klubet shqiptare!

Pogradeci ka qenë një nga destinacionet më të lakmuara dhe ekonomike për disa klube shqiptare për të zhvilluar fazën përgatitore verore. Padyshim, kjo ka ardhur për shkak të kushteve të favorshme atmosferike gjatë periudhës që verës, por edhe fushës së stadiumit “Gjorgji Kyçyku”, që gëzon gjendje të mirë.

Skuadra e Pogradecit u bë me president në merkaton e janarit të 2025-ës dhe me financimin që po kryen bisnesmeni Armand Lilo, duket se situata në klub po ndryshon pozitivisht. Me ndryshimin e atmosferës, futbolli liqenor po e rrit “piacën” dhe drejtuesit e rinj po e bëjnë stadiumin e Pogradecit një “mollë të ndalur” për klubet e tjera. Nëse deri vjet stadiumi jepej me qera ditor apo përdorim nga klubet që kryenin fazën në Pogradec, duket se tani drejtuesit heqin dorë nga ato pak të ardhura, vetëm e vetëm që terreni të mos degradohet dhe të përdoret nga skuadra vendase.

Por, drejtuesit e klubit liqenor, për momentin nuk janë treguar të gatshëm për të pritur oferta, pasi kanë plane madhore për Pogradecin e sezonit 2025-2026. Misioni, ngjitje në Superiore, që nisi në pjesën e dytë të edicionit të shkuar, ku i shkuan pranë në finalen me Tiranën në “play off”, synohet të realizohet këtë vit.

Sipas këtij projekti, i bie që drejtuesit e klubit pogradecar të kenë vëmendje të shtuar edhe te terrenet, Ata duhet të jenë primare për mbarëvajtjen dhe ecurinë e skuadrës së Pogradecit, si gjatë fazës përgatitore, por edhe në aktivitet. Refuzimi nga ana e Pogradecit bën që klubet shqiptare të gjejnë destinacione të reja jashtë vendit dhe padyshim edhe me shtim shpenzimesh dhe burokracish, që kanë të bëjnë me vizat apo udhëtimet. Gjithsesi, mbetet për të parë sesa stoik do të mbeten pogradecarët, apo do të lëshojnë pe për ndonjë ekip që të stërvitet në fushën e stadiumit “Gjorgji Kyçyku” gjatë periudhës së verës.