Norma mesatare e interesit të instrumenteve të borxhit të brendshëm publik u rrit për të tretin vit radhazi më 2024-ën. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit u rrit në 4.56%, nga 4.48 që ishte në fund 2023.
Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.65%, nga 4.56% në fund të vitit 2023. Megjithëse yield-et janë rritur krahasuar me një vit më parë, duhet thënë se rritja kulmoi në fund të muajve gusht-shtator 2024, në nivelin 4.58%, ndërsa pas tetorit, yield-i mesatar ka shënuar përsëri një rënie të lehtë, deri në nivelin 4.56%.
Në përgjithësi, yield-et e bonove dhe obligacioneve vitin e kaluar patën një tendencë në rënie, për shkak të uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por edhe gjendjes së mirë të likuiditetit në treg dhe kërkesës së lartë nga investitorët.
Rritja e yield-it mesatar, në fakt, është e lidhur kryesisht me orientimin gjithnjë e më të madh të qeverisë shqiptare drejt përdorimit të instrumenteve më afatgjata të huamarrjes. Në fund të vitit 2024, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 923 ditë, nga 835 që kishte qenë në fund të 2023-shit. Kjo rritje dëshmon përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë gjatë vitit të kaluar.
Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit. Kjo tendencë u frenua përkohësisht gjatë vitit 2022, për shkak të preferencës së investitorëve drejt titujve afatshkurtër, por iu kthye përsëri tendencës rritëse pas vitit 2024.
Pjesa e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti, në fund të 2024-ës zbriti në 39%, nga 44.7% që kishte qenë në vitin 2023. Në fund 2024, stoku i borxhit të brendshëm në bono thesari pësoi rënie me 9.6% (pothuajse 21 miliardë lekë), ndërsa stoku i borxhit në obligacione u zgjerua me 13.5% (gati 70 miliardë lekë).
Borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare në fund 2024 arriti në 788 miliardë lekë, në rritje me 6.3% krahasuar me vitin 2023. Huamarrja e brendshme është e realizuar e gjitha nëpërmjet letrave me vlerë të borxhit. Për vitin 2024, buxheti shpenzoi 33.1 miliardë lekë për interesa të borxhit të brendshëm, në rritje me 14% krahasuar me vitin 2023.
Ndërsa shpenzimet për interesa në buxhetin 2025 parashikohen në vlerën 37.9 miliardë lekëve, në rritje me 14.5% krahasuar me vitin e kaluar./Monitor