Yield-et e bonove 12-mujore pësuan përsëri rënie në ankandin e kësaj jave. Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar ra në 2.7%, nga 2.73% që ishte në të mëparshmin. Ky nivel përfaqëson një rekord historik të yield-it të këtyre instrumenteve, në raport me normën bazë të interesit, me 0.05 pikë përqindje poshtë çmimit bazë të parasë në ekonomi.
Nga 12 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, kërkesa totale në ankand arriti në afërsisht 12.6. Yield-i mesatar vijoi rënien, megjithëse pro rata apo pjesa e kërkesave të pranuara konkurruese nuk ishte shumë e ulët (88.08%).
Yield-et po shfaqin një tendencë të vazhdueshme në rënie edhe në fund të tremujorit të parë të vitit, pavarësisht se kjo është periudha kur kërkesa e qeverisë për financim në tregun e brendshëm është më e lartë. Kjo rënie mund të shpjegohet me likuiditetin e lartë në treg, kërkesën në rritje nga investitorët për tituj të borxhit të qeverisë e primeve gjithnjë e më të ulëta të rrezikut.
Përmirësimi i vlerësimit të kreditit nga agjencitë e specializuara vitin e kaluar duket se ka ndikuar në hyrjen për herë të parë në tregun e titujve të qeverisë në lekë edhe të investitorëve nga jashtë vendit. Burime nga tregu bëjnë të ditur se kërkesa nga këta investitorë vazhdon të jetë e pranishme, sidomos në tregun e obligacioneve referencë. Megjithatë, kjo kërkesë ka shtuar likuiditetin dhe ka ndikuar në presione rënëse të yield-eve edhe për instrumentet e tjera të borxhit të brendshëm.
Në muajin mars, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” përmirësoi për të dytin vit radhazi vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran, nga “BB-” në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme.
Sipas S&P, investimet e huaja direkte, remitancat dhe rritja e shpejtë e eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivën e qëndrueshme të ekonomisë së Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të pranishme gjeopolitike e pasigurive të lidhura me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në muajin maj të këtij viti.
Në mars 2024, S&P përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran të Shqipërisë nga B+ në BB-, ndërsa në tetor 2024 edhe agjencia tjetër Moody’s e përmirësoi vlerësimin nga Ba1 në Ba3.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2024, borxhi publik zbriti në 54.73% të PBB-së, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 57.5% i një viti më parë. Që nga 2021-shi, borxhi publik ka rënë me pothuajse 20 pikë përqindje ndaj PBB-së. Rënia e këtij raporti i detyrohet sidomos forcimit të lekut në kursin e këmbimit, por pjesërisht edhe uljes së deficitit buxhetor në vitet e fundit e rritjes së kënaqshme ekonomike.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare po përdor rregullisht huamarrjen e jashtme, nëpërmjet Eurobondeve, për të mbuluar pjesërisht financimin e deficitit të brendshëm buxhetor. Një pjesë e deficitit të këtij viti do të mbulohet nga huamarrja prej 650 milion eurosh e Eurobondit që u emetua muajin e kaluar./Monitor