Yield-et e obligacioneve 20-vjeçare pësuan rënie në ankandin e dytë të këtyre instrumenteve. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar i ankandit zbriti në 6.15%, nga 6.78% që kishte qenë në ankandin fillestar të këtyre instrumenteve, në fillim të muajit janar.
Edhe rihapja e ankandit tërhoqi interes mjaft të lartë të investitorëve. Nga 1 miliard lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 267 miliardë lekëve. Për shkak të kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumën e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.15 miliardë lekësh.
Edhe obligacionet 20-vjeçare po ndjekin kështu rënien e kurbës së yield-eve, që ka vazhduar edhe përgjatë tremujorit të parë të këtij viti. Të gjitha instrumentet e qeverisë shqiptare me afat maturimi më të shkurtër se një vit kanë zbritur poshtë normës bazë të interesit, madje edhe obligacionet 2-vjeçare kanë arritur shumë afër normës bazë.
Rënia e yield-eve është rezultat i disa faktorëve. Tregu financiar paraqitet mjaft likuid dhe kërkesa e investitorëve për bonot dhe obligacionet ka qenë në nivele të larta. Nga ana tjetër, oferta e këtyre instrumenteve këtë vit është në rënie, kryesisht për shkak të emetimit të Eurobondit të radhës në shkurt të këtij viti, që pjesërisht do të mbulojë një pjesë të deficitit të brendshëm buxhetor të parashikuar për 2025.
Nga ana tjetër, ulja e borxhit publik dhe përmirësimi i vlerësimit të tij nga agjencitë e specializuara kanë ulur primet e rrezikut rreth këtyre instrumenteve. Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Këto instrumente janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë.
Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në portofole dhe për të rritur kthimet për anëtarët.
Për herë të parë vitin e kaluar, tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare në lekë tërhoqi edhe investitorë institucionalë nga jashtë vendit. Nga ana tjetër, shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim më afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë.
Zgjatja e maturitetit maksimal të borxhit është në parim një tregues i rritjes së besueshmërisë së huamarrësit. Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit.
Në fund të vitit 2024 maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 923 ditë, nga 835 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2023. Kjo rritje dëshmon përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë gjatë vitit të kaluar.
Në vitet e fundit, treguesit e borxhit publik janë përmirësuar, falë ecurisë së mirë të ekonomisë pas pandemisë, forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor dhe një politike fiskale më konservatore, me deficite buxhetore më të ulëta.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2024 borxhi publik zbriti në 54.73% të PBB-së, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 57.5% i një viti më parë. Që nga viti 2021, borxhi publik ka rënë me pothuajse 20 pikë përqindje ndaj PBB-së.
Rënia e këtij raporti i detyrohet sidomos forcimit të lekut në kursin e këmbimit, por pjesërisht edhe uljes së deficitit buxhetor në vitet e fundit dhe rritjes së kënaqshme ekonomike. Këta faktorë sollën edhe përmirësimin e vlerësimit të borxhin Sovran të vendit nga agjencitë S&P Global Ratings dhe Moody’s, vitin e kaluar.
Agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” (Standard&Poor’s) në muajin mars 2024 përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran të Shqipërisë nga B+ në BB-, ndërsa në tetor edhe agjencia tjetër Moody’s e përmirësoi vlerësimin nga Ba1 në Ba3./Monitor