Rasti i tre policëve kufitarë të Kosovës, për të cilët Prishtina akuzon Serbinë se i rrëmbeu brenda territorit të saj, ndërsa në Beograd thonë se u arrestuan në pjesë serbe, reagon Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Kryetari i shtetit e cilëson “akt të rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës e të rajonit”, ndërsa i bën thirrje Serbisë për lirimin e tyre.
Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit. E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve Serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme.
Begaj veçon rëndësinë që palët të rikthehen në tryezën e dialogut e thekson se koordinimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Bashkimit Europian është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.
Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës e Serbisë, një ditë më parë.
Policia e Kosovës tha se tre zyrtarë të saj janë “rrëmbyer” brenda territorit të Kosovës, por në Beograd pretendohet se u arrestuan pasi u kapën “të armatosur rëndë” në komunën e Rashkës.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhej:
Tre efektivë në pikën kufitare Tresave/Bare janë rrëmbyer nga forcat serbe. Efektivët e rrëmbyer kanë njoftuar se kanë pikasur persona të maskuar dhe të armatosur e kanë kërkuar përforcime.