Bota

Presidenti Trump ashpërson kritikat ndaj Zelensky-t!

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka ashpërsuar kritikën ndaj homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se “ka bërë punë të tmerrshme” dhe se ai do të mund të merrte pjesë në bisedimet e zhvilluara këtë javë mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë në Arabinë Saudite, nëse do të dëshironte. Në platformën e tij Truth Social, shkroi se “Zelensky është diktator pa zgjedhje” dhe paralajmëroi se “më mirë të veprojë shpejt, që të mos mbetet pa shtet”.

Në fjalimin e mbajtur në Majami, Trump vlerësoi se Zelensky është duke keqpërdorur ndihmën amerikane të ndarë për luftë dhe se e ka shfrytëzuar administratën e ish-presidentit amerikan, Joe Biden. Këto komente duket se janë kundërpërgjigje ndaj kritikës së Zelensky-t se Trump “jeton në hapësirën e tij të dezinformatave”, të nxitur nga Moska.

Ne i kemi parë këto dezinformata, u shpreh dje Zelensky. Ne e kuptojmë se kjo vjen nga Rusia.

Zelensky reagoi pasi Trump e ka fajësuar për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se është i “zhgënjyer” që presidenti ukrainas u ankua pse nuk është ftuar në bisedimet e zhvilluara mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë për dhënien fund të luftës.

Presidenti ukrainas i ka përsëritur shqetësimet e tij për bisedimet e zhvilluara në Arabinë Saudite lidhur me dhënien fund të luftës së nisur thuajse tre vjet më parë.

Bisedimet e nivelit të lartë mes SHBA-ve dhe Rusisë në Riad, kishin qëllim “nxjerrjen e Putin-it nga izolimi” dhe që e gjitha kjo mund të rezultojë me ndryshime të dinamikave gjeopolitike, që do të ndikojnë në sigurinë e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara e kanë ndihmuar Putinin të dalë prej izolimit… Putin dhe rusët janë shumë të lumtur për këtë.

Zelensky ka thënë se Ukraina nuk është ftuar në takimet në Riad. Por, Trump iu tha gazetarëve se rusët “kanë marrë shumë territor dhe i kanë kartat në duar” në negociatat për dhënien fund të luftës. Presidenti amerikan, i cili ka çuar përpara nismën për takimin në Riad, në kuadër të përpjekjeve për dhënien fund të luftës ka qenë kritik edhe për mosmbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë.

Ukraina nuk ka mundur t’i zhvillojë zgjedhjet për shkak se është në gjendje lufte, e shpallur kur Rusia nisi luftën në shkurt të vitit 2022.