Një grup senatorësh amerikanë kërkon që administrata e presidentit Joe Biden, t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë Kosovë-Serbi”. Në një letër që përmban firmat e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, shefi i Shtëpisë së Bardhë nxitet të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen lidhur me propozimin e Bashkimit Europian për shtensionimin e situatës.
Letra e tetë senatorëve amerikanë i bën thirrje Biden-it, “të ushtrojë presion diplomatik, për t”i dhënë fund krizës aktuale”. Letra përmend dhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia arritën në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
Senatorët paralajmëruan rishqyrtimin e mbështetjes nga Kongresi, nëse Kosova dhe Serbia “dështojnë të ushtrojnë përmbajtje” e “të punojnë për shtensionimin e situatës së sigurisë”. Nga administrata Biden kërkuan të sigurojë një raport për Senatin Amerikan mbi situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës.
Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të gati 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Ne i vlerësojmë përpjekjet diplomatike të SHBA-ve për qetësimin e krizës, por këto përpjekje nuk janë reciproke sidomos nga Kosova.
Në veriun e Kosovës me shumicë serbe, situata është tensionuar prej fundit të majit kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në objektet komunale, mes rezistencës së serbëve. Tensionet kulmuan në dhunë më 29 maj kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR. Pati dhjetëra të plagosur në të dy anët.
Ndërsa Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për situatën e krijuar, komuniteti ndërkombëtar, kryesisht e hedh përgjegjësinë te Kosova. Nga Prishtina, BE-ja kërkon që të mbajë zgjedhje të reja në veri, si dhe të tërheqë forcat speciale nga zona. Nga Serbia, kërkon të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjedhjet mund të mbahen vetëm brenda kornizave ligjore të shtetit.
Komuniteti ndërkombëtar ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, përfshirë përjashtimin e saj nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-të. Kjo për shkak të shpërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri. Këtë javë, BE-ja paralajmëroi shpalljen e masave ndëshkuese për Kosovën.