Aktualitet

Prezantimi teknik i draftit të Kodit Penal, Rakipi: Dekriminalizojmë ushtrimin e prostitucionit!

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe njëherësh drejtuesi i Grupit të Punës për draftin e Kodit të Ri Penal, Arben Rakipi, prezantoi pjesën teknike të Kodit, dhe deklaroi se parashikohet dekriminalizimi i prostitucionit.

Projekti synon dhe orienton dekriminalizimin. Nuk e di se kur do të ndodhë, sepse lidhet me marrjen e masave të tjera, një ligj i veçantë i cili kërkon siguri dhe të depenalizohet. Vajza apo djali që ushtron me vullnet të lirë atë profesion, për fat të keq duhet përdorur termi profesion. Personalisht unë nuk e quaj të tillë. Nuk është se varen të gjitha gjërat nga unë, sidomos në këtë pikë.

Rakipi vuri në dukje se Kodi Penal francez dhe ai italian nuk e dënon ushtrimin e prostitucionit dhe, sipas tij, Shqipëria me draftin e Kodit të Ri Penal kërkon të shkojë në këtë drejtim. Sipas Rakipit, terreni shqiptar nuk mbahet më me lëndë penale në këtë fushë, ndaj ka lindur nevoja e dekriminalizimit të prostitucionit.

Ministria e Drejtësisë ka nisur konsultimet publike për Kodin e Ri Penal, që ka shkaktuar shumë diskutime e kritika. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha sot se ky proces vjen si domosdoshmëri për përmirësimin e kuadrit ligjor penal dhe si pjesë e angazhimeve të vendit në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shqipëria synon që Kodi të marrë formën përfundimtare deri në fund të vitit 2026, ndërsa miratimi i tij do të bëhet vetëm kur të japë “vulën” Brukseli.

Ministria e Drejtësisë ka pasur rolin e porositësit të këtij procesi, në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga strategjia për procesin e negociatave me BE-në. Hartimi i Kodit të Ri Penal është bërë i domosdoshëm pas reformës në drejtësi të vitit 2017 dhe për shkak të ndryshimeve të shpeshta që ka pësuar Kodi aktual. Shqipëria duhet të ketë një Kod të Ri Penal deri në fund të 2026-ës. Shqipëria do të ketë Kod të Ri Penal vetëm kur të marrë vulën e Brukselit. Shqipëria e ka të qartë destinacionin e saj, mbylljen e negociatave brenda 2027-ës dhe anëtarësimin në BE brenda 2030-ës. Ky kod do të jetë ekuivalent, siç janë të gjitha kodet penale të vendeve të BE-së, tha Manja.