Aktualitet Politikë

SPAK-u kërkon arrestimin e Ballukut, maxhoranca nuk jep OK!

Partia Socialiste nuk i jep dritën jeshile kërkesës së SPAK-ut lidhur me arrestimin e Belinda Ballukut. Në mbledhjen e grupit parlamentar që po vijon me fjalën e kryeministrit Edi Rama, Ulsi Manja prezantoi raportin e anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve, duke theksuar se nuk ka vend për zëvendësim të masës së sigurisë.

Si anëtarë të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i rekomandojmë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.

E vërtetë që lufta kundër korrupsionit është prioritet, por në këtë rast nuk kemi as akuzë për korrupsion. Ky rekomandim nuk e pengon SPAK-un të vijojë hetimet, e ka masën.

Ne e konsiderojmë vetëm si çështje që i takon drejtësisë. Për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, tashmë ka praktikë të konsoliduar për ndjekjen e hetimeve, pa mase sigurimi personal e jo më të kërkohet zëvendësim i masës së sigurimit, tha Manja.

Vetë Belinda Balluku, nuk po merr pjesë në mbledhje. Manja tha se nuk ka asnjë rrezik për arratisjen e Ballukut jashtë vendi dhe as për përsëritje të veprës penale.

Edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gushtin e vitit 2024, edhe pse iu njoftua akuza nga ana e SPAK-ut ka udhëtuar disa herë jashtë shteti e përsëri është kthyer në Shqipëri, në respekt të masës dhe në respekt të funksionit e procedimit penal.

Ka udhëtuar në Bukuresht, Athinë, Romë e në të gjitha rastet është kthyer në Shqipëri, duke reflektuar sjellje të rregullt e jo shmangëse. Ka dorëzuar të gjitha dokumentet e identifikimit. Pretendimi se shtimi i sanksionit penal mund të çojë në rrezik për t’u arratisur, bie poshtë.

Rreziku i përsëritjes së veprës penale. Dhe ky kërkon të jetë real e jo hipotetik. Mbahet në konsideratë se Balluku nuk ushtron funksione në administratë dhe një interpretim që bën SPAK-u, që çdo funksionar publik administron fonde do të mjaftonte për të justifikuar rrezikun e veprës penale, nuk qëndron.