Rajoni

Prishtina: Ekipi Menaxhues për Asociacionin nuk iu përgjigj ftesës për takim!

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, tha se sipas vendimit të vitit 2020, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duhet t’i raportojë këtij dikasteri. Krasniqi deklaroi se më 18 prill, ftoi në takim pjesëtarët e Ekipit Menaxhues, por asnjë prej tyre nuk iu përgjigj ftesës.

Para se Albin Kurti të merrte drejtimin e qeverisë së Kosovës, kryesisht kjo ministri udhëhiqej nga serbët. Sot në Facebook, Krasniqi publikoi dhe vendimet e mëhershme mbi bazën të të cilave janë emëruar apo ndryshuar pjesëtarët e Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit.

Janë tri vendime të Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me emërimin apo largimin e anëtarëve të Ekipit Menaxhues, që bazohen në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë [Hashim]Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë [Isa] Mustafa. Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë [Avdullah] Hoti.

Ekzistenca e Ekipit Menaxhues përfshihet në Marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë. Ky ekip ka për qëllim të hartojë statutin për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ekipi Menaxhues duhet të përbëhet nga përfaqësues të katër komunave në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Ministri Elbert Krasniqi shtoi:

Vetëm dy anëtarë të Ekipit Menaxhues, janë të njëjtë nga përbërja fillestare: Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijella Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues.

Në Bruksel, më 2 maj, Ekipi Menaxhues do të prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit, gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, takim që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.