Rajoni

Pritet raporti i Parlamentit Europian për Kosovën, mbi 300 amendamente!

305 amendamente janë paraqitur nga deputetët e Parlamentit Europian në draft-raportin vjetor për Kosovën të raportueses Viola von Cramon. Për to dhe tekstin në tërësi do të votohet më 26 prill, pra pas dy ditësh, në takimin e Komisionit parlamentar për Çështje të Jashtme. Në muajin maj, raporti duhet të shkojë për miratim në seancën plenare të Parlamentit Europian.

Një numër i madh amendamentesh pritet që të hidhen poshtë apo të tërhiqen, sepse kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky proces u përmbyll në Parlamentin Europian, me miratimin e vendimit përfundimtar dhe nënshkrimin e aktit ligjor të 19 prillit mes Parlamentit Europian e Këshillit të Bashkimit Europian.

Por, ka edhe amendamente nga deputetët e së djathtës ekstreme, të cilët kërkojnë që liberalizimi i vizave e procesi i zgjerimit të BE-së të mos ndodhin se sipas tyre “paraqesin një rrezik për BE-në”.

Edhe në të kaluarën, deputetë të këtyre rrymave kanë tentuar që në raport, Kosova të paraqitet si vend nga i cili vjen rreziku për sigurinë e Europës, por të tilla përpjekje nuk kanë gjetur mbështetje nga shumica në Parlamentin Europian.

Numri më i madh i amendamenteve kërkon që të përshpejtohet procesi i zgjerimit dhe që Bashkimi Europian të ecë përpara drejt përfshirjes së Kosovës në këtë proces, po ashtu.

Shumica e amendamenteve të propozuara bëjnë thirrje që të mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe që vendet anëtare ta miratojnë vendimin në drejtim të dhënies së statusit të kandidatit në Union.

Ashtu si dhe në vitet e mëhershme, ka një numër të madh të amendamenteve të paraqitura nga deputetët që vijnë nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sidomos Spanja. Përmes tyre kërkohet që të hiqen të gjitha pjesët e tekstit që Kosovës i referohen si shtet sovran dhe i pavarur.