Përdoruesit e YouTube kanë raportuar probleme me cilësinë e riprodhimit të videove gjatë ditëve të fundit, pavarësisht platformës që po përdorin. Edhe pse lidhja e internetit është e qëndrueshme, videot shpesh luhen automatikisht në rezolucion të ulët, si 144p ose 360p, ndërsa përpjekjet për të vendosur një cilësi më të lartë çojnë në ndërprerje dhe ngarkim të shpeshtë (buffering). Ankesat kanë mbushur platforma si Reddit, ku përdoruesit thonë se ky problem është më i përhapur në televizorë inteligjentë, pajisje iOS dhe kompjuterë desktop. Ndërkohë, aplikacioni në telefonat dhe tabletët Android duket se funksionon pa probleme.
“Sa herë që hap një video ose YouTube Shorts, ajo luhet automatikisht në një cilësi shumë të ulët, kjo nuk më ka ndodhur kurrë më parë”-shkroi një përdorues i iOS-it në Reddit. Madje, disa përdorues raportojnë se edhe pas përzgjedhjes manuale të një cilësie më të lartë, si 720p ose më shumë, videoja mbetet e bllokuar në 144p, duke e bërë atë të pamundshme për t’u parë. Lajmi i mirë është se YouTube ka njohur ekzistencën e problemit dhe po punon për ta zgjidhur atë.
Në faqen zyrtare të mbështetjes, platforma njoftoi se “jemi të vetëdijshëm që disa prej jush po përjetojnë cilësi më të ulët të videove sesa zakonisht kur shikojnë video dhe Shorts në YouTube. Ne po e hetojmë problemin dhe po punojmë për një zgjidhje. Do të përditësojmë këtë temë sapo të kemi më shumë informacion. Faleminderit për durimin tuaj!”
Përveç telefonave, tabletëve dhe kompjuterëve, përmbajtja e YouTube po shijohet gjithnjë e më shumë edhe në ekranet e mëdha të televizorëve. Për të përmirësuar përvojën e përdoruesve dhe për t’i inkurajuar ata të kalojnë më shumë kohë në aplikacionin e tyre në televizorë, YouTube prezantoi disa vite më parë opsionin Primetime Channels, i cili u mundësonte përdoruesve të kishin qasje në shërbime abonimi si Max dhe Paramount Plus përmes aplikacionit. Megjithatë, përdoruesit duhej të përpiqeshin për të gjetur këto opsione dhe për të hyrë në këto shërbime.