Në Pallatin e Kongreseve, po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku po prezanton programin për “Shqipërinë Madhështore 2025-2029”.
Takimi nisi me një batutë nga demokratja Artiola Tabaku, që përshëndeti drejtuesin e fushatës elektorale të Partisë Demokratike, Chris LaCivita dhe i tha “sa bukur e simbolizuat fushatën me bufin epik që ha minjtë e gjrizeve të Rilindjes”.
Në këtë moment, Berisha, LaCivita dhe Mediu u shfaqën duke qeshur me njëri-tjetrin.
Sali Berisha: Edi Rama e pranoi se nuk ka projekt, projekti i tij është vetëm dora për të vjedhur. Kopja mbetet kopje e shëmtuar. Nokia, tre dekada më parë ishte në zenithin e teknologjisë, por Apple nxori iphone e parë, shumë lart, shumë herë mbi Nokia-n. Nokia tentoi ta kopjojë, por dështoi. Apple nuk ia përmendi kurrë, por vazhdoi të përmirësojë e të përmirësojë iphone e saj sepse kopja mebtet kopje.
Sali Berisha: Janë dashur tre vite të plota për programin. Kur pranova të rikthehesha, mora një vendim, nuk rikthehesha për pushtet, as pasuri, as luks. Këtë projekt e bëmë duke e ditur situatën e rrezikshme në të cilën gjendet Shqipëria. Shqipëria sot po vuan pasojat e një pushtimi nga vjedhja që është bërë këtë 12 vjet. Jemi në kushtet e një pabarazie të madhe ekonomike. Arsimi është rrënuar, shëndetësia është shkatërruar, çmimet e larta dhe korrupsioni e kanë bërë çmimin e jetës të pamundur në Shqipërisë. Prandaj PD gërmoi në histori për të gjetur çfarë programesh kanë përdorur vendet që janë gjetur në rrënoja pas luftrave e fatkeqësive, siç gjendet sot Shqipëria nga pushteti i narkodiktaturës. Ky projekt do të ringrejë Shqipërinë nga pasojat që solli Rilindja 12 vite, por këtu nuk do bie dakord me ata që thonë se politika është arti i të mundshmes, ne me politikën tonë kemi realizuar të pamundurën.
Ai ka theksuar se vendimi i tij për t’u rikthyer në politikë nuk ishte as për pushtet, as për luks, duke sqaruar se as në rininë e tij nuk ka qenë i interesuar për këto.
Berisha ka theksuar se, pas një karriere të përmbushur, ai vendosi që të punojë për një trashëgimi të re për PD dhe konservatorët shqiptarë.
Ai ka shprehur dëshirën që Berisha i tretë të kalonte disa herë të parin dhe të dytin, duke krijuar kështu një bazë të re dhe të fortë për të ardhmen e partisë dhe të gjithë forcave konservatore në vend.