Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të votojë sot propozimin francez, ndërkohë që kjo seancë u përcaktua pasi qeveria dërgoi atje një pjesë të dokumenteve në lidhje me këtë propozim. Po sot, gjysmë ore para fillimit të kësaj seance, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi përcaktoi edhe fjalimin që do të mbajë kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Në seancën që fillon në orën 13:30, deputetët duhet të debatojnë për informacionin mbi përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, të propozuar nga ana e Francës, vend që deri në datë 30 qershor ka mbajtur kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian.
Qeveria thotë se propozimi francez është i mirë dhe se duhet të pranohet për të hequr veton bullgare e për të zhbllokuar procesin e eurointegrimit të vendit. Opozita është me qëndrim të kundërt, ndërsa mospublikimi i protokollit dhe përmbajtjes së tij, hedh dyshime shtesë në atë se çfarë po bën qeveria.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani vlerësoi se është e pabazë frika për bullgarizimin e vendit dhe se bëhet fjalë për spekulime që përdoren që dikush të fitojë pikë politike. Osmani nënvizoi se nuk ka asnjë bullgarizim apo imponim dhe askush nuk mund t’i ndryshojë tekstet shkollore. Sipas tij, “logjika që të mbetemi të bllokuar që Bullgaria të mos na bllokojë në të ardhmen është një qasje irracionale”.
Kryetari i VMRO-DPMNE/së në opozitë, Hristijan Mickoski vlerëson se “protokolli ende nuk është publikuar dhe nuk dihet se çfarë përmban” dhe se “qeveria po përpiqet në mënyrë kontrabandë për të miratuar propozimin francez”.
Me Maqedoninë e Veriut përfiton edhe Shqipëria, pasi Unioni nuk i trajton si të ndara dy vendet fqinje e vetoja bullgare për Shkupin ka mbajtur peng edhe Tiranën në nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Kryeministri Rama ka apeluar që Maqedonia e Veriut të mos i thotë “jo” propozimit francez.